Një grup delegatësh të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të pakënaqur me udhëheqjen aktuale të partisë, kanë dorëzuar sot në selinë qendrore nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, me synimin për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.
Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, i cili tha se nënshkrimet janë dorëzuar në Sekretariatin e partisë në përputhje me Statutin e LDK-së.
“Po, mund të konfirmoj se nënshkrimet janë dorëzuar te Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në pajtim me dispozitat e Statutit të LDK-së”, ka deklaruar Zemaj.
Kuvendi i LDK-së numëron 355 delegatë, ndërsa për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm nevojiten të paktën 118 nënshkrime.
Sipas Statutit të LDK-së, pas dorëzimit të nënshkrimeve, Kryesia e partisë obligohet që ta thërrasë Kuvendin brenda afatit prej 60 ditësh.
Pakënaqësitë brenda LDK-së janë shtuar pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit. Një numër zyrtarësh dhe degësh të partisë kanë kërkuar përgjegjësi nga kryetari Lumir Abdixhiku për rezultatin zgjedhor, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe organizimin e zgjedhjeve të brendshme.