Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara me dyshime për helmim të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.
Sipas AUV-së, inspektorët veterinarë kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në të dy lokacionet, ku janë verifikuar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni, gjurmueshmëria e produkteve dhe lëndëve të para.
Gjatë kontrolleve janë marrë edhe mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike. Në rastin e Prishtinës janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit.
AUV ka bërë të ditur se mostrat janë dërguar për analiza në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Analizat laboratorike janë në proces. Pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës”, thuhet në njoftim.
Në rast se konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin publik, AUV ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.
Agjencia ka rikujtuar operatorët e bizneseve ushqimore për detyrimin e tyre që të sigurojnë ushqim të sigurt për konsum, të respektojnë kushtet e ruajtjes, temperaturat e përcaktuara dhe zinxhirin e ftohjes, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Ndërkohë, AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë blerjes së produkteve ushqimore të kontrollojnë etiketimin, afatet e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes.