Pas 4 katër vitesh, në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit nga kjo e mërkurë do të ulet një person me kompetenca të plota.
Zejnulla Gashi ka pranuar detyrën nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Agron Qalaj, nga ku edhe u zotua të punojë për forcim të sundimit të ligjit.
“Sapo e pranova detyrën nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zoti Qalaj. Faleminderit kolegëve për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i të gjithëve dhe së bashku të gjithë do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit.”
Ndërsa, Qalaj i cili nga nëntori i vitit të kaluar mbajti pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, i uroi suksese Gashit.
“I nderuar kryeprokuror i shtetit Zejnulla Gashi mirëserdhe në zyrën e kryeprokurorit të shtetit. Në cilësinë e deritanishme të ushtruesit të detyrues zyrtarisht ja u dorëzoj dhe ju ftoj që të merrni në menaxhim dhe udhëheqjen sipas ligjit. Suksese.”
Gashi u dekretua nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së djeshme, derisa të hënën pasdite iu dorëzua dosja për të nga Këshilli Prokurorial.
Organizatat e shoqërisë civile që kanë monitoruar këtë proces, e kanë konsideruar si proces të rregullt, përveç BIRN-it, e cila nëpërmjet një raporti e ka konsideruar si proces pa transparencë të plotë dhe me probleme serioze në vlerësimin e integritetit dhe meritokracisë.
Në tetor të 2023-s, ish-presidentja Vjosa Osmani, nuk e pati dekretuar për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn që është Kryeprokuror i PSRK-së, me arsyetimin se janë shënuar dhjetëra shkelje në procedurën e përzgjedhjes.
Që nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit ishte udhëhequr me ushtrues detyre.