Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Fushë Kosovë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 15 korrik 2026, rreth orës 20:38, pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.
I dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, po ashtu mashkull kosovar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë pistolete si provë materiale.
Lidhur me rastin është iniciuar hetim për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga organet e rendit.