Zyra e Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviq, e cila tha se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kishte “spastruar Kosovën”.
Britania i ka cilësuar këto deklarata si “të neveritshme” dhe të papranueshme në shoqërinë e sotme.
“Ne i dënojmë vërejtjet e Ministres Serbe Snezana Paunovic, duke përfshirë referencat për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”.
Britania ka theksuar se, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, stabile dhe multietnike, deklarata të tilla rihapin ndarjet e vjetra dhe rrisin tensionet.
“Në një kohë kur vendet në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumëetnike, vërejtje të tilla synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensionet. Udhëheqësit politikë përgjegjës duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa mëdyshje”.
Gjithashtu në reagim thuhet se kanë marrë parasysh “kundërshtimin” e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndaj deklaratave të ministres Paunoviq.