Gërvalla deponon kallëzim penal ndaj ministres serbe Paunoviq

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres serbe Snezana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me “spastrimin etnik të Kosovës”.

Gërvalla ka thënë se deklaratat e Paunoviqit, të bëra gjatë një interviste në median serbe, ku ajo është shprehur se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998”, përbëjnë gjuhë urrejtjeje dhe nxitje për përçarje.

Ajo ka bërë të ditur se i ka kërkuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që të ndërmarrë veprime hetimore dhe ta procedojë rastin përpara organeve kompetente.

“Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas saj, deklaratat që justifikojnë dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë politike, pasi kanë pasoja të rënda historike dhe juridike.

Të fundit nga rubrika