Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhjen e radhës elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë në Leposaviq, mbështetjen për arsimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe financimin e aktiviteteve në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Kësisoj, në mbledhje është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë, pa kompensim, të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A. Ky vendim synon realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm për Komunën e Leposaviqit.
Tutje siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, Qeveria ka ndarë 255 mijë e 153 euro e 45 cent për sigurimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për vitin shkollor 2025/2026.
Teksa një tjetër vendim i miratuar parasheh ndarjen e 40 mijë eurove për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital. Sipas Qeverisë, kjo mbështetje synon promovimin e Republikës së Kosovës, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekosistemit vendor të inovacionit.
Nga kjo shumë, 20 mijë euro janë ndarë për organizatën FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, ndërsa 20 mijë euro për Innovation Centre Kosovo (ICK).