Streha që e ndërtoi për 26 vjet po i rrënohet para syve.
Për shkak të punimeve në rrugën “ A” në Prishtinë u dëmtua shtëpia e Shqipe Berisha.
Ndonëse këtu s’jetojnë tash e një vit për shkak të rrezikut që iu kanos, sepse shembja e parë ndodhi qysh në maj të vitit të kaluar.
E të premten, meqë gjithçka po shembej qe e nevojshme ndërhyrja e zjarrfikësve e policisë.
Edhe zona u sigurua.
Më shumë për këtë gjendje foli pronarja e shtëpisë, Shqipe Berisha.
“Herën e parë kur ka ndodh ka qenë data 27 maj i vitit të kalum kemi qenë në shtëpi ka ndodh shembja e parë e shtëpisë për shkak të punimeve të rrugës A ku është bërë gërryerje 16 metra pa asnjë masë mbrojtëse”, u shpreh Berisha për Dukagjinin.
Berisha deklaroi se mbrëmë u njoftuan nga fqinjët që shtëpia po shembej e tëra.
“Mbrëmë na kanë njoftu kojshia që shtëpia është shembë e tërë kom njoftu pafund me njoftu komunën nuk kam pas qasje, kom tentu me njoftu KEK-un se rrezikohen telat e rrymës nuk kam marrë përgjigje”, u shpreh ajo.
Nën emocione fajin po e lë tek Komuna e Prishtinës.
E nga Komuna e Prishtinës nuk janë deklaruar rreth kësaj çështje, ndërkohë banorët tjerë paralajmëruan se të hënën do të kërkojnë takim me kryetarin Përparim Rama.
Por, Policia e Kosovës ka konfirmuar për televizionin Dukagjini, se në koordinim me Prokurorinë ka nisur hetime për këtë rast.