Një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:30.
“Sot, rreth orës 05:30, në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, është shkaktuar një aksident trafiku me pasoja fatale. Si pasojë e aksidentit (vetaksident), një person ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas tij, njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, njëherësh u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, me qëllim të parandalimit të aksidenteve me pasoja të rënda.