Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që përfshinë Komunën e Lipjanit gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar dëme në disa zona të komunës, ka njoftuar Komuna e Lipjanit.
Sipas njoftimit, si pasojë e kushteve atmosferike janë evidentuar dëme në sektorin e bujqësisë dhe në infrastrukturën publike. Dëmtime janë raportuar në shkollën e Gadimes, Sallën Sportive dhe në shtigjet e ecjes, ku në disa segmente janë rrëzuar drunj, duke paraqitur rrezik për kalimtarët.
Po ashtu, në disa lokalitete janë dëmtuar dhe rrëzuar shtylla elektrike, çka ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Komuna ka bërë të ditur se ekipet e shërbimeve publike, në bashkëpunim me strukturat emergjente dhe institucionet përkatëse, kanë dalë menjëherë në terren dhe po punojnë për vlerësimin e situatës, sanimin e dëmeve dhe largimin e pengesave, me qëllim rikthimin e gjendjes në normalitet.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat e prekura dhe të shmangin qëndrimin pranë objekteve, pemëve dhe shtyllave të dëmtuara, të cilat mund të paraqesin rrezik.
Komuna e Lipjanit ka apeluar gjithashtu që qytetarët të jenë të kujdesshëm edhe në ditët në vijim, pasi sipas parashikimeve meteorologjike priten reshje intensive dhe erëra të fuqishme.