Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se janë formuar komisionet për vlerësimin dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia dhe reshjet e shiut që kanë përfshirë komunën.
Sipas Muharremajt, komisionet do të bëjnë vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë, institucionet publike dhe arsimore, bizneset, hapësirat publike, si dhe në kategori të tjera të prekura.
Ai ka bërë të ditur se komisionet, në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave, do të dalin në terren për të vlerësuar gjendjen dhe për të evidentuar dëmet e shkaktuara.
Muharremaj ka apeluar që qytetarët të tregojnë kujdes edhe gjatë ditës së sotme, duke theksuar se sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës priten sërish stuhi dhe reshje shiu.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të veprojnë me qetësi dhe t’u përmbahen udhëzimeve të institucioneve përkatëse.