Këtë të enjte ka nisur seanca e fundit plenare në Kuvend e Shqipërisë për këtë sesion parlamentar.
Seanca ka nisur me vonesë, ndryshe nga ora zyrtare teksa rendi i ditës pritet të jetë i ngjeshur ndërsa pritet të raportohen në Kuvend raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në seancë pritet të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025. Gjithashtu pritet të zhvillohen interpelanca dhe seanca pyetje-përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët e opozitës.
Gjithashtu këtë të enjte ka nisur prej mëngjesit protesta qytetarët para Parlamentit.
Grumbullimi i qytetarëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej”, nga më pas marshuan drejt godinës së Parlamentit.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë duke angazhuar rreth 500 punonjës policie në terren. Organet e rendit kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë, i cili shtrihet nga zona e “Toptanit” deri te rruga e Elbasanit.
Gjithashtu, rreth godinës së Kuvendit është vendosur edhe gardhi metalik për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit.
Pak para nisjes zyrtare të protestës para Kuvendit janë shënuar incidentet e para mes disa qytetarëve dhe forcave të sigurisë.
Disa protestues janë afruar pranë gardhit metalik të vendosur nga Policia e Shtetit dhe tentuan të heqin rrethimin metalik për të depërtuar drejt godinës së Kuvendit.
Pas këtij veprimi kanë ndërhyrë punonjësit e Policisë, të cilët kanë bllokuar kalimin e qytetarëve për të mbajtur nën kontroll perimetrin e sigurisë. Protestuesit gjithashtu kanë bllokuar për disa minuta rrugën e Elbasanit dhe pas ndërhyrjes së policisë është hapur rruga për qarkullim.
Ndërkohë, numri i të shoqëruarve ka shkuar në 9, të cilët po dërgohen në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.