Gjykata ia vazhdon edhe 30 ditë paraburgimin ish-pjesëtarit të MUP-it serb, V.M., dyshohet se kidnapoi Milan Vukashinoviqin në Leposaviq

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për 30 ditë masën e paraburgimit ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, V.M., i cili dyshohet për përfshirje në rrëmbimin dhe plagosjen e Milan Vukashinoviqit.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.

“Të pandehurit V.M. i është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.08.2026”, ka deklaruar Haxhaj.

Me këtë vendim, V.M. mbetet në paraburgim për muajin e shtatë me radhë, që nga arrestimi i tij në dhjetor të vitit 2025.

Ai u arrestua nga Policia e Kosovës në kuadër të hetimeve për rastin e Milan Vukashinoviqit, shtetas i Kosovës me nacionalitet serb, i cili dyshohet se më 1 nëntor 2025 ishte plagosur dhe më pas rrëmbyer në afërsi të Leposaviqit nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte bërë të ditur më 20 dhjetor 2025 se V.M. ishte arrestuar në Leshak gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Sipas Sveçlës, i dyshuari kishte qenë pjesë e Policisë së Kosovës pas integrimit në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, por më vonë kishte dhënë dorëheqje. Ministri kishte deklaruar se ekzistojnë dyshime se ai kishte bashkëpunuar vazhdimisht me strukturat e sigurisë së Serbisë dhe se kishte rol në rastin e rrëmbimit të Vukashinoviqit, i cili mbeti i plagosur rëndë.

Po ashtu, sipas autoriteteve, Vukashinoviq dyshohet se kishte pasur kontakte me struktura të inteligjencës dhe ushtrisë serbe, kishte përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe dyshohet se kishte pasur njohuri për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

Pas urdhrit të Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës bastisi shtëpinë dhe objektet përcjellëse të V.M.-së, ku u sekuestruan nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente në format A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë të armës së gjuetisë dhe një tytë arme.

Hetimet për rastin janë ende në zhvillim.

Pas vdekjes së gazetarit serb Stefan Cvetkoviqit, rikthehen pikëpyetjet për fatin e Milan Vukashinoviqit

Shija e redaktorit

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika