Një studim i realizuar nga studiues të Universitetit Shtetëror të Ohios ka sugjeruar se një pije e përgatitur nga domate të pasura me likopen dhe përbërës të sojës mund të ketë ndikim në uljen e inflamacionit kronik te personat me obezitet.
Sipas Fox News, pjesëmarrësit në studim kanë konsumuar çdo ditë nga dy gota të kësaj pijeje, me rreth 180 mililitra secila, për një periudhë prej katër javësh. Pas përfundimit të studimit, hulumtuesit kanë vërejtur ulje të tre proteinave që lidhen me proceset inflamatore në organizëm.
Studiuesit sqarojnë se pija e përdorur në hulumtim nuk ishte një lëng i zakonshëm domatesh. Ajo ishte përgatitur nga domate të kultivuara me përmbajtje të lartë të likopenit – një antioksidant që i jep domates ngjyrën e kuqe dhe lidhet me disa përfitime shëndetësore – si dhe ishte pasuruar me izoflavone të sojës, raportoi Fox News.
Kur kjo pije u krahasua me lëngun tradicional të domates, vetëm versioni i pasuruar me likopen dhe përbërës të sojës tregoi ndikim në uljen e shënuesve të inflamacionit.
Megjithatë, ekspertët kanë bërë thirrje për kujdes në interpretimin e rezultateve, duke theksuar se nevojiten studime më të mëdha për të konfirmuar efektet afatgjata të kësaj pijeje dhe ndikimin e saj në shëndetin e përgjithshëm.
“Ky studim u shtohet provave që tregojnë se disa përbërës natyralë të ushqimeve mund të ndikojnë në inflamacion, por është e rëndësishme t’i shohim rezultatet në perspektivë”, ka thënë dietologia Jamie Lee McIntyre, e cila nuk ishte pjesë e studimit.
Ajo ka theksuar se pija e testuar nuk është një produkt që konsumatorët mund ta përgatisin lehtësisht në shtëpi, pasi përmban përqendrime të larta të likopenit dhe izoflavoneve.
Ekspertja ka shtuar se studimi përfshiu vetëm 12 persona dhe zgjati katër javë, ndaj është shumë herët për të nxjerrë përfundime të gjera.
“Kjo mjafton për të ngritur një hipotezë interesante, por jo për të pohuar se kjo pije do të ulë inflamacionin ose do të përmirësojë shëndetin e popullatës në përgjithësi”, u shpreh ajo.
Në vend që të kërkojnë një ushqim të vetëm “kundër inflamacionit”, McIntyre këshillon njerëzit të përqendrohen te një regjim ushqimor i balancuar.
Pija e mëngjesit që ndikon te niveli i sheqerit në gjak
“Për shumicën e njerëzve, përfitimi më i madh vjen nga konsumimi i vazhdueshëm i një diete të larmishme dhe me shumë ngjyra, jo nga ndjekja e çdo lajmi të ri për ushqimin”, ka përfunduar ajo.
Studiuesit shpresojnë të zhvillojnë kërkime më të mëdha në të ardhmen për të kuptuar më mirë nëse ndërhyrjet përmes ushqimit mund të ndihmojnë në kontrollin e inflamacionit kronik.
