Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka akuzuar Policinë e Kosovës, apo si e ka quajtur ai “Policinë e Kurtit” se kanë ndërmarr masa “të panevojshme” ndaj komunitetit serb gjatë përkujtimit të festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren, duke e cilësuar si “represion”.
Petkoviq pretendoi se “qëllimi ishte të krijohej një Gazimestan i ri”, duke përdorur një narrativë të njohur politike të Beogradit që synon të paraqesë institucionet e Kosovës si kërcënim ndaj komunitetit serb.
E narrative serbe të tilla kohën e fundit janë intensifikuar kundër Kosovës. Ishte ministrja serbe, Snezhana Paunoviq që para disa javëve foli për spastrim etnik të Kosovës, Igor Simiq që dezinformoi disa herë karshi vendit tonë, e së fundmi vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiq që kërcënoi Kosovën me narrativën serbomadhe.
Se kjo fushatë lidhet me përpjekjet e Serbisë për të paraqitur Kosovën si burim të vazhdueshëm të destabilitetit, tha profesori universitar Dorajet Imeri.
“Kjo fushatë lidhet me përpjekjet e Beogradit për të paraqitur Kosovën si burim të vazhdueshëm të destabilitetit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë e veta nga procesi negociues me Kosovën, nga fshehja dhe mosdorëzimi i Radojçiqit dhe grupit të tij kriminal, nga bashkëpunimi i ngushtë dhe strategjik me Rusinë dhe Kinën.” tha Imeri.
Imeri u shpreh se çdo veprim që Kosova ndërmerr në veri, Serbia e shfrytëzon të krijojë si narrativë që komuniteti serb është në rrezik. Sipas tij, kjo i shërben shtetit serb për të mobilizuar opinionin publik në planin e brendshëm.
“Çdo veprim institucional që Kosova është duke e ndërmarrë, sidomos në veri, shfrytëzohet për të krijuar narrativën se komuniteti serb është i rrezikuar, ndërsa së fundi ka nisur të përdorë sidomos institucionet fetare dhe klerin ortodoks serb si mekanizmin kryesor propagandues. Kjo i shërben Serbisë për të mobilizuar opinionin publik në planin e brendshëm, ndërsa në planin ndërkombëtar dëshiron ta portretojë Kosovën si penguese e stabilitetit dhe dhunuese ndaj pakicave, duke e detyruar atë pastaj të bëj koncesione politike në procesin negociues.” tha tutje ai.
Profesori universitar vlerësoi se deklaratat e Petkoviqit synojnë të ndërtojnë perceptimin se çdo veprim i Policisë së Kosovës është i motivuar në baza etnike.
“Deklaratat e Petkoviqit synojnë të ndërtojnë perceptimin se çdo veprim i Policisë së Kosovës është i motivuar etnikisht dhe i drejtuar kundër pakicës serbe, kjo për të ulur besimin në institucionet e Kosovës dhe për të mbajtur në vazhdimësi të pa integruara në jetën sociale e politike pakicën serbe në Kosovë.” potencoi Imeri.
Imeri theksoi se Kosova duhet të reagojë shpejt në secilën situatë, duke shtuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Karshi dezinformimit serb, në Kosovë ekspertë të sigurisë kanë potencuar vazhdimisht se nuk ka asnjë të vërtetë në deklaratat propaganduese të Beogradit.
Një reagim i tillë erdhi edhe sot nga eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Ai tha se përmes deklaratave të tilla si ato të lartcekura të Petar Petkoviqit, dëshmojnë se, Beogradi tenton të konsolidojë mesazhin e rremë se në Kosovë po kufizohen liritë e serbëve, ndërsa organizimin paqësor të ceremonive fetare e paraqet si dëshmi të “unitetit dhe qëndrueshmërisë” së tyre.
“Kjo është lufta hibride e Serbisë për të fituar terren, për të propaganduar para faktorit ndërkombëtar dhe për të luajtur rolin e viktimës. Por, fuqia dhe stabiliteti ynë në aspektin e sigurisë mbeten të palëkundura!”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.