Kuçi: Profilet e rreme janë fenomen në rritje, nevojitet infrastrukturë ligjore digjitale për t’i luftuar

Rritja e numrit të profileve dhe faqeve të rreme në rrjetet sociale po paraqet një sfidë gjithnjë e më të madhe, sidomos në periudha të ndjeshme politike, kanë vlerësuar Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus” dhe Festim Rizanaj nga “Hibrid.info”.

Duke folur në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Kuçi ka thënë se zhvillimet teknologjike po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë identifikimin dhe kontrollimin e profileve të rreme.

“Profilet e rreme janë një fenomen që çdo ditë e më shumë po rritet. Zhvillimet teknologjike po e bëjnë më të vështirë kontrollimin e tyre. Pa marrë parasysh që disa nga rrjetet sociale kanë disa kritere për hapjen e një faqeje, gjithmonë ekziston mundësia për ta mashtruar sistemin dhe për ta hapur një profil”, deklaroi Kuçi.

Sipas tij, krijimi i profileve false mund të bëhet edhe përmes përdorimit të numrave të përkohshëm të telefonit, ndërsa fenomeni është problem global, veçanërisht në vendet ku propaganda është e shpërndarë.

“Është një problem global në rritje, sidomos në vendet ku propaganda është e shpërndarë. Kosova nuk është në nivelin e lartë sikurse Serbia, ku mbi 25 mijë profile janë mbyllur nga ‘X’ si të rreme, por edhe tek ne ekziston ky fenomen”, tha ai.

Kuçi theksoi se profilet dhe faqet e rreme nuk shërbejnë vetëm për publikimin e përmbajtjeve të pavërteta, por edhe për amplifikimin e narrativave të caktuara politike dhe shoqërore.

“Ka shumë profile fake të cilat i amplifikojnë narrativat e tilla, jo vetëm që i publikojnë. Jo vetëm kërcënimet apriori politike, por edhe mënyrën se si ndryshojnë dhe deformojnë çështje të ndryshme. Kjo po kthehet në një problem esencial për shoqërinë tonë”, u shpreh ai.

Ai tha se mënyra se si maten ndikimet në rrjete sociale, përmes shikueshmërisë, komenteve dhe shpërndarjeve, shpesh krijon një perceptim të gabuar për seriozitetin e burimeve.

“Kur ne i masim përmes shikueshmërisë, komenteve apo shpërndarjes dhe krijojmë një profil serioz, në anën tjetër shohim faqe fake të fushave të ndryshme, të cilat po i drejtojnë njerëzit drejt informacioneve të gabuara”, tha Kuçi.

Sipas tij, këto faqe mund të nxisin përplasje politike, shoqërore, por edhe të ndikojnë në fusha të tjera, si shëndetësia, duke orientuar qytetarët drejt informacioneve apo medikamenteve të pasakta.

“Ky fenomen është shumë i vështirë për kontrollim, por nuk duhet të dorëzohemi. Nevojitet një infrastrukturë ligjore digjitale që do të merrej me këtë çështje”, deklaroi Kuçi.

Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të kenë mekanizma më të fuqishëm për reagim ndaj faqeve dhe profileve që nuk kanë identitet të qartë.

“Secila faqe që hapet pa lokacion, pa identitet të qartë se kush është pronari i saj, apo profilet që nuk mund të verifikohen, duhet të trajtohen nga departamente të veçanta, Policia apo edhe Prokuroria”, tha Kuçi.

Ndërkaq, Festim Rizanaj nga “Hibrid.info” ka vlerësuar se qëllimi kryesor i këtyre faqeve është manipulimi i opinionit publik, veçanërisht në situata të ndjeshme si proceset zgjedhore.

“Problemi është se këto faqe krijohen për manipulimin e opinionit publik. Qëllimi kryesor është manipulimi, sidomos në situata të caktuara, sikurse në zgjedhje, dhe përbëjnë rrezik”, tha Rizanaj.

Ai theksoi se përdoruesit shpesh marrin informacione nga rrjetet sociale pa e verifikuar burimin fillestar të tyre.

“Tek ne audienca është edukuar që ta marrë informacionin në këtë formë: e sheh informacionin nga rrjetet sociale, e sheh bazën apo imazhin, por jo edhe burimin kryesor të plasimit të informacionit. Kjo e bën audiencën të brishtë dhe më të ekspozuar ndaj manipulimeve”, u shpreh Rizanaj.

Sipas tij, mungesa e verifikimit të burimit është arsyeja kryesore pse qytetarët bien pre e këtyre fushatave të dezinformimit.

“Nëse nuk verifikohet se kush e plason informacionin, njerëzit mund të bien pre e këtyre manipulimeve të ndryshme, të cilat krijohen me një qëllim të caktuar”, përfundoi Rizanaj.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika