Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë sekuestruar 2,550 fishekë të kalibrit 9 mm gjatë një aksioni kundër kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, të zhvilluar të hënën në regjionin e Prishtinës.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti i dyshimtë u ndalua për kontroll në segmentin e autostradës Trudë–Prishtinë. Gjatë kontrollit fillestar u krijuan dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në automjet.
Pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë zbuluan bunkerë, të ndërtuar pas fabrikimit të automjetit, ku ishin fshehur 2,550 copë fishekë të kalibrit 9 mm.
Pas përfundimit të procedurave, automjeti, municioni dhe personi i dyshuar iu dorëzuan Policisë së Kosovës, e cila do të vazhdojë hetimet në përputhje me kompetencat ligjore.