Autoritetet spanjolle kanë lejuar mijëra persona të evakuuar për shkak të zjarreve pyjore të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi kufizimet u hoqën në zonat e Toledo-s, Madridit, Ávila-s dhe Castellón-it.
Vetëm në rajonin e Madridit, 24 mijë persona janë njoftuar se mund të kthehen, ndërsa masat e izolimit për 20 mijë të tjerë janë hequr, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Spanja dhe Franca po përgatiten për fillimin e valës së katërt të të nxehtit këtë verë, ndërsa disa zjarre vazhdojnë të digjen, përfshirë një në Burgohondo, rreth 150 kilometra në perëndim të Madridit.
Në jugperëndim të Francës, zjarret më të mëdha në rajonin e Gironde-s përshkruhen si “ende të stabilizuara”, megjithëse janë regjistruar disa riaktivizime. Zyrtarët paralajmërojnë për erëra të thata dhe temperatura deri në 41°C.
Kryetarja e Le Barp-it, në jugperëndim të Bordeaux-së, Blandine Sarrazin, tha se situata “po bëhet më e vështirë” pas shpërthimit të dy zjarreve një ditë më parë dhe bëri thirrje për “vigjilencë maksimale”.
Gjashtëmbëdhjetë departamente apo distrikte në Francë janë nën alarm portokalli për valën e të nxehtit, përfshirë zonën Landes më në jug.
Shërbimi zjarrfikës ka vendosur masa të posaçme në Gironde për të mbrojtur disa objekte të lidhura me industrinë franceze të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore. Të ashtuquajturat objekte “Seveso” përfshijnë fabrika që prodhojnë materiale të rrezikshme për raketa dhe sisteme raketore.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi se 12 orët e ardhshme do të jenë “vendimtare” për shuarjen e zjarrit pranë kryeqytetit.
“Gjërat po përparojnë në mënyrë të favorshme, me kujdes maksimal”, u tha ai gazetarëve, duke përmendur temperaturat më të larta, lagështinë më të ulët dhe rrezikun e erërave të forta.
Një zjarr mbetet ende jashtë kontrollit në Vall d’Uixó, në veriperëndim të Valencias.
Ndërkohë, zjarri në Burgohondo të provincës Ávila ka shkatërruar tashmë më shumë se 43 mijë hektarë dhe konsiderohet zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në historinë e Spanjës.
Ai ka detyruar 40 mijë persona të largohen nga shtëpitë e tyre. Francisco Bolaños, një nga drejtuesit e operacionit të zjarrfikësve, tha se zjarri “nuk ka lëvizur asnjë centimetër gjatë natës”, por ekziston frika se mund të riaktivizohet për shkak të temperaturave më të larta. Përpjekjet po përqendrohen në stabilizimin e një perimetri prej 180 kilometrash.
Shumë prej 2 mijë personave të evakuuar nga zjarret në Luginën Tiétar janë strehuar nga vullnetarë në qytetin Talavera de la Reina, në jug të zonës së zjarrit.
Megjithatë, rreth 300 të evakuuar mbeteshin ende të strehuar të mërkurën në mëngjes. Kryetari i Talavera de la Reina-s, José Julián Gregorio, deklaroi për Europa Press se ata do të marrin “të njëjtin nivel kujdesi si në ditën e parë”.