Rajoni jugperëndimor Kyushu i Japonisë është goditur nga më shumë se 100 pasgoditje që nga tërmeti i fuqishëm i së martës, i cili ka lënë të paktën 13 persona të vdekur.
Shumë të tjerë janë raportuar në gjendje “arresti kardiopulmonar”, një term që përdoret shpesh në raportimet paraprake në Japoni para se vdekja të konfirmohet zyrtarisht, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Mes temperaturave përvëluese, ekipet e shpëtimit po gërmojnë në rrënojat e një fabrike letre dhe të një qendre tregtare në prefekturën Kumamoto, në kërkim të personave të bllokuar. Qendra tregtare pësoi një shpërthim brenda një ore pas goditjes së tërmetit.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi paralajmëroi se shpëtimi i të bllokuarve është “vërtet një garë me kohën”. Mijëra njerëz ndodhen në qendra evakuimi dhe shumë prej tyre janë pa energji elektrike.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë për mundësinë e pasgoditjeve të forta. Sipas një zyrtari të JMA-së, gjatë javës së ardhshme, veçanërisht në dy ose tre ditët e ardhshme, ekziston rreziku i tërmeteve me intensitet maksimal sizmik 7.
Tërmeti goditi prefekturën Kumamoto në ishullin Kyushu të martën në orën 16:27 sipas kohës lokale.
Një nga ndërtesat më të dëmtuara ishte qendra tregtare Aeon Mall në Kashima, ku një pjesë e katit të dytë u shemb. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan tym të bardhë që ngrihej ndërsa njerëzit vraponin drejt parkingut. Pjesë të mëdha të fasadës së qendrës u shkatërruan, duke ekspozuar trarët metalikë të strukturës.
Tre persona rezultojnë ende të zhdukur ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet në rrënoja.
Presidenti i Aeon Mall, Akio Yoshida konfirmoi se tre persona humbën jetën nga shpërthimi në qendrën tregtare. Sipas zyrtarëve, rreth 2,700 persona punonin aty.
Yoshida tha se katër persona u dërguan në spital, ndërsa një person u shpëtua nga një tualet dhe një tjetër ndodhet në gjendje arresti kardiopulmonar.
“Kërkojmë sinqerisht falje për këtë incident”, deklaroi ai në një konferencë për media të mërkurën.
Zona të tjera të prekura përfshijnë një fabrikë në qytetin Yatsushiro, ku dy persona u gjetën pa shenja jete dhe nëntë të tjerë rezultojnë të zhdukur.
“Megjithëse kanë kaluar më shumë se 20 orë nga tërmeti, ende ka njerëz që kanë nevojë për ndihmë”, tha Takaichi të mërkurën.
Ajo shtoi se më shumë se 4,600 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.
Zyrtarët u kanë rekomanduar shpëtimtarëve dhe të mbijetuarve të marrin masa mbrojtëse kundër goditjes nga nxehtësia gjatë punës për pastrimin e rrënojave, pasi temperaturat kanë arritur rreth 35°C.