Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot pasdite Kuvendin e Jashtëzakonshëm, i thirrur pas kërkesës së një grupi delegatësh që kanë kërkuar largimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, nga drejtimi i partisë.
Kujtojmë se në janar Abdixhiku kishte kërkuar votëbesim për udhëheqjen e tij, ndërsa vetëm gjashtë muaj më vonë, në korrik, janë mbledhur 150 nënshkrime të delegatëve që kundërshtojnë vazhdimin e mandatit të tij në krye të partisë, njofton Dukagjini.
Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së përbëhet nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, ndërsa pjesë e tij me automatizëm është edhe kryetari aktual i partisë.
Në mbledhjen e sotme, delegatët pritet të votojnë për ose kundër shkarkimit të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së do të nis nga ora 18:00.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme politike brenda LDK-së në vitet e fundit, pasi rezultati i votimit mund të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të partisë dhe proceset e saj të brendshme organizative.