Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi i mbijetoi nismës për shkarkimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, të mbajtur të enjten.
Me këtë vendim, Abdixhiku vazhdon të mbetet kryetari i katërt në historinë e LDK-së.
Në Kuvend morën pjesë rreth 330 delegatë, të cilët votuan me votim të fshehtë për nismën që kërkonte largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë.
Kuvendi i jashtëzakonshëm u thirr pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja u rendit sërish si forca e tretë politike, duke fituar 18 ulëse në Kuvend.
Nisma për shkarkimin e Abdixhikut u iniciua nga një grup delegatësh, të cilët argumentuan se ai kishte dështuar në drejtimin e partisë dhe se duhej të merrte përgjegjësi për rezultatin zgjedhor.
Në fjalën e tij para delegatëve, Abdixhiku e cilësoi nismën si të gabuar, të pavend dhe të papërshtatshme për kohën, duke thënë se ajo dëmton unitetin e LDK-së në një periudhë të rëndësishme për vendin dhe partinë.
Ai gjithashtu akuzoi iniciuesit e nismës për sabotim të partisë dhe tha se përgjegjësinë për punën e tij ua jep aktivistëve që, sipas tij, u angazhuan në fushatën zgjedhore dhe mbrojtën LDK-në.
Me rikonfirmimin e Abdixhikut, LDK-ja shmang hapjen e një procesi të ri zgjedhor për kryetar dhe ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë në fazën e ardhshme politike, e cila përfshin edhe përpjekjet për zgjidhjen e krizës institucionale në vend.