Haxhiu konfirmon hapat për konstituimin e Kuvendit, kërkon vazhdimin e dialogut për presidentin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka dhënë detaje lidhur me përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së re, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e dialogut politik për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, Haxhiu ka bërë të ditur se seanca konstituive e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht, në orën 10:00.

Ajo ka rikujtuar se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik, janë ndërmarrë hapat kushtetues për thirrjen e seancës së parë të Kuvendit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit. Në bazë të kësaj, në përputhje me Kushtetutën, seanca konstituive do të mbahet më 6 gusht”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, në rend dite të seancës së parë janë katër pika kryesore: formimi i Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, shqyrtimi i raportit të këtij komisioni, betimi i deputetëve, si dhe zgjedhja e kryetarit ose kryetares së Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Haxhiu ka njoftuar se administrata e Kuvendit ka përfunduar përgatitjet për regjistrimin e deputetëve të rinj. Regjistrimi do të zhvillohet më 3 gusht për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, më 4 gusht për deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa më 5 gusht për deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë.

Ndërkohë, Haxhiu ka mirëpritur edhe rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së, duke thënë se ky zhvillim krijon mundësi që të rifillojnë takimet ndërmjet subjekteve politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Ajo ka theksuar se procesi i brendshëm në LDK ka qartësuar situatën politike brenda partisë dhe se tashmë duhet të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.

“Së pari, është lajm i mirë që tashmë kemi pasur një mbledhje të LDK-së. Pra, lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet, sepse siç e dini, ato janë të pezulluara deri në qartësimin e situatës brenda LDK-së”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se nuk është në përgjegjësinë e saj të komentojë proceset e brendshme të partive politike, por ka vlerësuar se është e rëndësishme që dialogu të rifillojë sa më shpejt.

Sipas Haxhiut, të gjitha palët duhet të angazhohen me seriozitet për të arritur një konsensus për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Republikës së Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje me të cilën arrijmë të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit”, ka deklaruar ajo.

Seanca konstituive e 6 gushtit pritet të shënojë fillimin zyrtar të punës së legjislaturës së re, ndërsa paralelisht partitë politike pritet të rifillojnë negociatat për çështjet kryesore institucionale, përfshirë zgjedhjen e presidentit të vendit.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika