Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se plani për çarmatimin e Hamasit mund të përbëjë një “hap konstruktiv drejt paqes”, nëse ai zbatohet plotësisht.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Kallas theksoi se suksesi i planit varet nga angazhimi i plotë i të gjitha palëve të përfshira, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
“Shumë gjëra duhet të vendosen në vend që kjo të funksionojë. Suksesi varet nga angazhimi i plotë i të gjitha palëve”, shkroi ajo.
Sipas saj, verifikimi i përputhshmërisë së Hamasit me kushtet e marrëveshjes do të jetë një sfidë e rëndësishme, ndërsa Izraeli do të duhet që përfundimisht të tërhiqet nga Gaza.
Kallas bëri të ditur se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë hapat e ardhshëm të procesit, përfshirë hyrjen e Komitetit Kombëtar dhe të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur po diskutohen mundësitë për një marrëveshje më të gjerë që synon armëpushimin, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës pas konfliktit të vazhdueshëm.