Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, detyrë që më parë mbahej nga ministri Andin Hoti.
Kurti thotë se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash dhe kujtoi angazhimin e përbashkët në aksione për kërkimin e drejtësisë për krimet e luftës, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, Kurti theksoi gjithashtu se Limani ka qenë ushtar i UÇK-së gjatë luftës dhe se familja e tij është prekur rëndë nga krimet e luftës ku vëllai i tij është vrarë, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur nga masakra e forcave serbe në Krushë të Vogël.
“Me Agronin njihemi prej më shumë se dy dekadash dhe bashkë kemi organizuar aksione në kërkim të drejtësisë, sikur ai i vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut kur publikuam listën me emrat e 56 kriminelëve të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion për të cilin ai ishte arrestuar. Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç. Gjatë luftës, Agroni ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në këtë fshat. Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”, ka shkruar Kurti.
Në postimin e tij, Kurti ritheksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia.
Ai përmendi edhe gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut, duke thënë se ato janë rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kurti përsëriti thirrjen për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë që të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, duke kërkuar në veçanti hapjen e arkivave të forcave serbe, përfshirë arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave dhe ndryshimin e vendimit për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve deri në vitin 2044.