Pesë persona janë gjetur të vdekur dhe 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget indonezian me të paktën 250 persona në bord u përfshi nga flakët ndërsa ndodhej në det, bëjnë të ditur autoritetet.
Kapiteni i anijes raportoi zjarrin pranë ishullit Madura, ndërsa trageti po lundronte nga Surabaya, qyteti i dytë më i madh i Indonezisë në provincën Java Lindore, drejt Makassar në Sulawesi Jugore, sipas agjencisë kombëtare të kërkim-shpëtimit Basarnas, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Pamjet e transmetuara nga media lokale iNews tregojnë një numër të madh njerëzish me jelekë shpëtimi në atë që duket të jetë një barkë shpëtimi.
Video të tjera shfaqin pasagjerë duke zbritur nga trageti, ndërsa nga pjesa e sipërme e anijes dalin flakë dhe re të mëdha tymi.
Basarnas publikoi një video në TikTok, duke njoftuar se në orën 08:24 sipas kohës lokale (02:24 GMT) zyra e kërkim-shpëtimit në Surabaya mori informacion se trageti KMP Mutiara Sentosa 2 ishte përfshirë nga zjarri.
“Sipas informacioneve nga kompania e transportit detar, zjarri ka shpërthyer rreth orës 06:00-07:00”, thuhet në deklaratë.
Më vonë, Basarnas konfirmoi se trageti ishte “pothuajse tërësisht i përfshirë nga flakët”, ndërsa “pasagjerët qëndronin në urën e komandimit dhe në pjesën e përparme të anijes duke pritur shpëtimin”.
Autoritetet thanë se ende nuk dihet se si ka shpërthyer zjarri në traget.
Në disa prej pamjeve shihen persona duke u hedhur në det, ndërsa turma njerëzish me jelekë shpëtimi grumbullohen në ujë dhe atyre u hidhen unaza shpëtimi përpara se të transportohen në një anije shpëtimi.