Objektet e rrënuara pranë liqenit të Ujmanit, në të cilat kishin investuar për vite me radhë, si dhe bindja se kanë mbetur pa pronën që e konsiderojnë të tyren, i bashkojnë Aleksandar Jakshiqin nga Zubin Potoku dhe Branimir Mihajlloviqin, me origjinë nga Vushtrria, i cili sot jeton në Mitrovicën e Veriut.
Të dy pretendojnë se kanë ndërtuar mbi bazën e dokumenteve që posedojnë në sistemin juridik të Serbisë, ndërsa institucionet e Kosovës objektet e tyre i konsiderojnë të ndërtuara pa leje në tokën që administrohet nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci”.
Jakshiqi dhe Mihajlloviqi iu drejtuan edhe institucioneve të Kosovës për të kërkuar drejtësi, pasi, sipas tyre, askush nuk u ka shpjeguar mbi bazën e cilit ligj kishte nisur rrënimi i objekteve. Ata theksojnë se nuk ka ekzistuar as vendim gjyqësor, ndërkohë që kishin iniciuar procedurë për përcaktimin e pronësisë.
Për Jakshiqin nga Zubin Potoku, rrënimi i hotelit “Jezero” në Ujman nuk nënkupton vetëm humbjen e një objekti. Ai thotë se brenda pak orësh u zhduk gjithçka që familja e tij kishte ndërtuar për gati dy dekada.
“Familja ime, unë dhe motra ime kemi hequr dorë nga shumë gjëra për ta ndërtuar atë objekt. Çdo gjë e kemi investuar këtu. Prindërit tanë investuan gjithçka në atë hotel”, tha Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.
Kritikat ndërkombëtare
Bashkësia ndërkombëtare kritikoi autoritetet e Kosovës për rrënimin e objekteve pranë liqenit të Ujmanit dhe kërkoi ndërprerjen urgjente të aksionit. Vërejtja kryesore ishte se pronarët e objekteve kishin nisur procedura gjyqësore pasi morën njoftimet për largim nga pronat, ndaj vlerësohet se autoritetet duhej të prisnin epilogun gjyqësor.
Në anën tjetër, drejtori i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha se ndërmarrja që ai drejton ka detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron. Ai shtoi se të dhënat e mbledhura tregojnë se shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar gjatë viteve 2019 dhe 2020.
Sipas tij, kjo do të thotë se ato nuk kanë mundur të legalizohen në bazë të Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili hyri në fuqi në shtator të vitit 2018.

Megjithatë, pronarët pretendojnë se objektet janë ndërtuar pothuajse 20 vjet më parë, pra para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
“Për herë të tretë mbeta pa gjithçka”
Për Branimir Mihajlloviqin, kjo është, siç thotë ai, hera e tretë që humb gjithçka që kishte ndërtuar ndër vite.
Ai ka lindur në Vushtrri, prej nga u largua pas luftës së vitit 1999 dhe u vendos në fshatin Frashër pranë Mitrovicës, ku kishte një shtëpi familjare që, sipas tij, u dogj gjatë trazirave të marsit 2004.
Sot jeton në një banesë që ia ka dhënë në shfrytëzim Komuna e Mitrovicës së Veriut. Për këtë arsye, vikendica pranë liqenit të Ujmanit kishte për të një rëndësi shumë më të madhe sesa një vend pushimi.
“Për 19 vjet kam investuar pak nga pak. Kam kursyer nga kafshata e gojës për ta ndërtuar”, thotë Mihajlloviq.
Kush është pronar i tokës në Ujman?
Aleksandar Jakshiq pretendon se toka ku ishte ndërtuar hoteli “Jezero” është pronë e familjes së tij dhe se objekti ishte ndërtuar në fillim të viteve 2000.
Sipas tij, dëshmitë për pronësinë i posedon në sistemin juridik të Serbisë dhe mbi këtë bazë ka nisur një kontest gjyqësor para institucioneve të Kosovës. Seanca e parë është caktuar për 12 gusht.
Ai thotë se vetëm ditët e fundit ka mësuar se autoritetet e Kosovës qysh në vitin 2018 e kishin ndryshuar destinimin e tokës ku ndodhej hoteli, gjë që, sipas tij, sot ia pamundëson pajisjen me dokumentacion në sistemin e Kosovës.
“Na thonë vetëm se kemi uzurpuar pronën. Ku kanë qenë gjithë këto vite? Nuk do të kishim ndërtuar po të mos kishim dokumente dhe po të mos ishte toka jonë”, tha ai.
Ai shton se familja e tij nuk është njoftuar kurrë për ndryshimin e destinimit të tokës dhe se për këtë vendim kanë mësuar vetëm kur kanë filluar të marrin vendimet për rrënimin e objekteve pranë liqenit.
Në anën tjetër, Branimir Mihajlloviq thotë se në vitin 2006 e kishte marrë tokën në shfrytëzim për 99 vjet nga ndërmarrja publike serbe “Srbijashume” (Ndërmarrja Publike e Serbisë për Menaxhimin e Pyjeve Shtetërore), së cilës, sipas tij, i kishte paguar rregullisht qiranë.

Kur Kosova nisi mbylljen e institucioneve që funksiononin në sistemin e Serbisë gjatë vitit 2024, me arsyetimin se ato janë paralele dhe të paligjshme, Mihajlloviqi thotë se u përpoq ta rregullonte statusin e pronës së tij në sistemin e Kosovës.
Vitin e kaluar ai paraqiti kërkesë për legalizimin e objektit dhe, sipas tij, ishte i gatshëm që qiranë ta paguante në të ardhmen institucioneve të Kosovës.
Megjithatë, vikendica e tij u rrënua më 21 korrik, ndërsa ndërkohë ai u gjobit edhe me 2.000 euro për ndërtim pa leje.
Mihajlloviqi pyet pse autoritetet e Kosovës vendosën që luftën kundër ndërtimeve pa leje ta fillojnë pikërisht në veri të Kosovës, ku jeton shumica e popullsisë serbe.
Pas reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me rrënimin e objekteve pranë liqenit të Ujmanit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tha se aksioni është pjesë e një plani më të gjerë për mbrojtjen e burimeve ujore dhe paralajmëroi vazhdimin e largimit të ndërtimeve pa leje në mbarë Kosovën.
Ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, tha se deri më tani pranë liqenit të Ujmanit janë larguar 17 objekte.
A ishte i ligjshëm rrënimi?
Eksperti për çështje pronësore, Korab Dibra, kishte deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se neni 23 i Ligjit për Pronën Publike përcakton qartë se e drejta e pronësisë mbi pronën publike nuk mund të fitohet me posedim afatgjatë apo me ndërtim të objektit në kundërshtim me rregullat që rregullojnë të drejtën e ndërtimit.
“Kjo dispozitë përjashton mundësinë e fitimit të pronësisë mbi pronën publike nëse objekti është ndërtuar pa leje, edhe në rastet kur është paraqitur kërkesë për legalizim”, tha Dibra.
Ai shtoi se, sipas ligjit, edhe ndërmarrja “Ibër-Lepenci” ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron nga çdo cenim i paautorizuar nga palët e treta”.
Megjithatë, sipas tij, ligji parashikon se organi kompetent nuk mund të ekzekutojë rrënimin nëse kërkesa për legalizim ose ankesa është ende në procedurë shqyrtimi.
Ai theksoi se ligji nuk e autorizon “Ibër-Lepencin”, as ndonjë ndërmarrje tjetër publike, që ta kryejë vetë rrënimin e objekteve. Sipas tij, këtë kompetencë e kanë organet përkatëse: komuna për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë, ndërsa ministria kompetente për objektet e kategorisë së tretë.
Shtëpitë dhe vilat bëjnë pjesë në kategorinë e parë të objekteve, prandaj, sipas Dibrës, vetëm komuna është kompetente për lëshimin e lejeve ndërtimore dhe vendimeve për rrënim.
Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, kishte deklaruar më herët se autoritetet komunale nuk kishin dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive dhe vikendicave në Ujman, duke shtuar se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi.
Aleksandar Jakshiq pranon se nuk është optimist për rezultatin e procesit gjyqësor për përcaktimin e pronësisë, por thotë se nuk do të heqë dorë nga beteja.
“Do ta ndërtojmë përsëri. Edhe më të bukur, edhe më të mirë”, tha ai.
Të njëjtin qëndrim ndan edhe Branimir Mihajlloviq, i cili shton se nuk mendon aspak të largohet nga Kosova.