Dorëzania prej 50 mijë eurosh nuk mjafton, Thaçit i vazhdohet paraburgimi

Hashim Thaçi

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj, pavarësisht se gjyqtari i vetëm ka vlerësuar se nuk ekziston rrezik i mjaftueshëm për arratisje në rast të lirimit të tij.

Vendimi është marrë më 31 korrik nga gjyqtari i vetëm në çështjen ndaj Thaçit për tentim pengim të drejtësisë.

Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar lirimin e tij me kushte, duke propozuar 14 masa, përfshirë edhe një garanci financiare prej 50 mijë eurosh nga familjarë dhe miq të tij.

Gjyqtari ka vlerësuar pozitivisht këtë garanci, duke thënë se shuma e ofruar do të shërbente si pengesë shtesë ndaj mundësisë së arratisjes.

“Siguria financiare prej 50,000 eurosh e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i konfiskimit në rast të mosparaqitjes në seanca, e zvogëlon edhe më tej një rrezik të tillë”, thuhet në vendim.

Sipas gjyqtarit, lidhjet familjare të Thaçit me Kosovën, dorëheqja e tij nga posti i presidentit dhe dorëzimi vullnetar në juridiksionin e Dhomave të Specializuara në rastin e parë penal, janë elemente që peshojnë kundër një rreziku për arratisje.

“Gjyqtari i vetëm nuk konsideron se z. Thaçi paraqet rrezik arratisjeje”, thuhet në vendim.

Megjithatë, gjykata ka arsyetuar se ekziston ende rrezik që Thaçi, nëse lirohet, të mund të pengojë proceset gjyqësore në zhvillim apo të kryejë vepra të tjera penale që lidhen me këtë çështje.

Sipas vendimit, shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e ndikimit te dëshmitarët e mbrojtur, veçanërisht në lidhje me procedurat në rastin tjetër ku Thaçi është i akuzuar së bashku me ish-krerë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjyqtari ka vlerësuar se kushtet e propozuara nga mbrojtja nuk do të ishin të mjaftueshme për të eliminuar këto rreziqe.

“Nuk ka kushte të arsyeshme lirimi që mund të zvogëlojnë në mënyrë të mjaftueshme rrezikun e pengimit të procedurave apo kryerjes së veprave të tjera”, thuhet në vendim.

Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së vazhdon në Dhomat e Specializuara.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika