Aleanca ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim lidhur me konstituimin e institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit të vendit.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar Kurtit, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk ka interes të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë formë, dhe se nuk sheh arsye për takim në formatin e propozuar.
Gjini ka rikujtuar se në letrën e tij të mëhershme drejtuar Kurtit kishte paraqitur qëndrimet e veta për themelimin e institucioneve, duke theksuar se ka ofruar mundësinë e ndihmës për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit të ri, por vetëm pasi të jenë përmbushur disa kërkesa.
Sipas letrës, Aleanca i ka paraqitur gjashtë pika si çështje me interes për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ndër kërkesat e përmendura janë orientimi strategjik dhe gazi amerikan, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla nga 30 mijë në 100 mijë euro, lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull, si dhe krijimi i një fondi emergjent prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.
“Nuk shohim fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në përgjigjen e AAK-së.