Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” dhe “Mashtrim”, pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas Policisë, hetimet janë iniciuar pas pranimit të informacioneve për veprimet e të dyshuarit, të cilat dyshohet se kanë rezultuar me keqpërdorimin e investimeve të një ankuesi, shtetas i huaj.
“I dyshuari dyshohet se kishte keqpërdorur investimet e ankuesit, mashkull shtetas i huaj, duke i shkaktuar atij një dëm në vlerë rreth 500 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, pas intervistimit të tij në prani të avokatit mbrojtës.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.