Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është intervistuar për disa orë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kuadër të hetimeve për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Intervistimin e Aliut e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se i pandehuri L.A. është intervistuar në kuadër të veprimeve hetimore, lidhur me veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Për shkak të fazës së procedurës nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka deklaruar Luta.
Ndryshe, pas përfundimit të intervistimit, ish ministri, Liburn Aliu nuk dha detaje për arsyen e ftesës nga Prokuroria, por tha se ndihet i lehtësuar që ka pasur mundësinë të japë sqarimet e tij.
“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë ta sqaroj pak situatën para Prokurorisë për të gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje, i cili ka degraduar aq shumë, por që unë jam përgjigjur me heshtje. Për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër kam vepruar në përputhje me ligjin, sipas rekomandimeve të ZKA-së. Nuk ka asnjë vendim i cili mundet të më ndërlidhë me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga ZKA-ja, ka pasur rekomandime dhe është vepruar në bazë të rekomandimeve. Ka qenë një rast i mirë që pata mundësinë ta sqaroj para Prokurorisë të gjithë këtë. Jam i lehtësuar”, deklaroi Aliu.
Prokuroria Speciale nuk ka bërë të ditura detaje të tjera, duke theksuar se rasti ndodhet ende në fazën e hetimeve.
Aliu pas intervistimit në Prokurori: Kam vepruar në përputhje me ligjin, ndihem i lehtësuar
Aliu ka qenë ministër deri në gusht të vitit 2025. Aktualisht, ai ushtron pozitën e drejtorit të portit të Durrësit në Shqipëri.