Në shikim të parë, Hrvatska Kostajnica duket si një qytezë e qetë. Rreth një orë e gjysmë larg Zagrebit, ajo të krijon përshtypjen e një vendi ku koha ka ngadalësuar ritmin. Lëvizjet e pakta të banorëve i shtohen qetësisë që këtë verë e ka përforcuar edhe vapa përvëluese. Por pas kësaj pamjeje fshihet një histori lufte dhe sakrifice.
Kjo qytezë e vogël duke qenë se është në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën është në fakt vet kufiri i Bashkimit Evropian sot. Ka diçka unike në Hrvatska Kostajnica, e kjo është fakti se lumi Una i cili ndan Kroacinë dhe Bosnjën, nuk është kufij edhe në këtë qytezë. Territori kroat shtrihet edhe në anën tjetër të lumit, ku vetëm pak metra më tej ndodhet pikëkalimi kufitar.
Pikërisht për këtë pozitë strategjike, në vjeshtën e vitit 1991 këtu u zhvilluan luftime të ashpra. Mbrojtësit kroatë kishin bërë një rezistencë të pashoq, por pasi mbetën pa municion dhe të gjendur të rrethuar prej një kohe të gjatë, u detyruan të dorëzoheshin. Më 13 shtator 1991, forcat e atëhershme të Ushtrisë Popullore Jugosllave (APJ) pushtuan qytezën, ndërsa shumë mbrojtës kroatë të zënë rob u dërguan në kampin famëkeq të Manjačës, pranë Banja Llukës, ku iu nënshtruan torturave çnjerëzore.
“A ka shqiptarë mes jush?”
Në mesin e shumë dëshmive të asaj kohe, njëra prej tyre mbetet veçanërisht domethënëse. Sipas dëshmive të ish-të burgosurve, gjatë grumbullimit të robërve të luftës, oficerët e APJ-së kishin një detyrë të veçantë, kërkonin të dinin nëse mes tyre kishte shqiptarë.
Pyetja përsëritej vazhdimisht:
“A ka shqiptarë mes jush?”.
Qëllimi ishte identifikimi i tyre dhe trajtimi i ’’veçantë’’.
Fati i shqiptarëve në Kroaci të cilët binin në duart e forcave serbe ishte i vulosur. Këtë do ta shohim kudo në viset e Kroacisë si dhe më vonë në ato të Bosnjës dhe Hercegovinës me ç’rast na kujtohen skenat e vrasjeve në Bjellina ku terroristët e Arkanit të dërguar nga Serbia vranë ata pak shqiptarë që gjendeshin në atë qytet e që ishin edhe viktimat e para në ato ditë të tmerrshme të prillit të vitit 1992.
Ngjashëm më herët ishte vepruar edhe pas pushtimit të qytetit të Vukovarit kur shqiptari nuk kishte asnjë gjasë të shpëtojë. Kemal Saitin, pjesëtarë i forcave kroate, i zënë rob së bashku me mbrojtësit e tjerë të Vukovarit e ndanë nga të tjerët në hangarin ku ishin të mbyllur, ushtarët serb e rrahën deri në vdekje.

Edhe në hangarin në Vukovar ishte bërë e njëjta pyetje sikurse në Hrvatska Kostajnica:
“A ka shqiptarë mes jush?”.
Në 13 shtatorin e vitit 1991 në Hrvatska Kostajnica urdhri ishte i prerë, të gjenden shqiptarët në mesin e mbrojtësve kroatë, produkt ky i urrejtjes patologjike që ideologët e Beogradit e kanë ushqyer ndaj popullit tonë. E nuk ndalen as sot.
’’A ka shqiptar mes jush?’’, ishte pyetja e oficerit të APJ-së i cili i drejtohej robërve kroatë të luftës, por të cilët do të tregojnë trimëri njerëzore deri në një sakrificë për të mbrojtur shokun e tyre shqiptarë, Shemsedin Morinën.
Për të mos zbuluar identitetin e tij, ata ishin dakroduar një ditë më parë që ai të paraqitej me emrin Jozo Bošnjak. Kështu, tregon veterani kroat i luftës dhe bashkëvuajtësi i shqiptarit, Ante Vukadin në një intervistë në Podcastin ’’Gdje si bio ’91?’’.
Ky mashtrim zgjati për një kohë të gjatë, derisa drejtuesit e kampit të Manjačës arritën të kuptonin se kush ishte në të vërtetë. Sipas dëshmive, identiteti i tij u zbulua vetëm pasi Morina nuk mundi më të duronte torturat që ushtroheshin ndaj eprorëve të tij, të cilëve u kërkohej të tregonin se cilët prej mbrojtësve kroatë ishin shqiptarë.
Historia e Shemsedin Morinës mbetet një dëshmi e solidaritetit njerëzor në një nga periudhat më të errëta të luftës. Vendimi i mbrojtësve kroatë për të rrezikuar jetën e tyre për ta fshehur identitetin e tij është një shembull i rrallë i besnikërisë mes bashkëluftëtarëve.
Në ditën e çlirimit të Hrvatska Kostajnicës, respektivisht në përvjetorin e 31-të të çlirimit, më 6 gusht 2026, pata mundësinë ta vizitoj këtë qytezë në shoqërim të përfaqësueseve të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci. Vizita mori një domethënie të veçantë, pasi u zhvillua pikërisht në një vend ku, gjatë luftës, shqiptarët kërkoheshin me emër dhe mbiemër për t’u vrarë.
Sikur për inat ndaj asaj urrejtje, prania e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës në Hrvatska Kostanjica dëshmoi një realitet krejtësisht tjetër. Shqiptarët që dikur ishin objekt i përndjekjes, sot qëndrojnë sërish në këtë qytet, por tashmë si përfaqësues të një shteti të pavarur, në Kroacinë e lirë- aleatin strategjik rajonal të kombit tonë.
Matanë pikës kufitare, ku në fillim shihet flamuri i Bosnjës dhe Hercegovinës, shihet edhe ai serb për shkak se ajo pjesë e Bosnjës nuk arriti të çlirohej gjatë operacioneve finale ushtarake të vitit 1995. Në thellësi të atij territori, dhjetëra kilometra tutje gjenden lokacionet e skenave horror që bota i pa në xhirimet e reporterëve perëndimor në verën e vitit 1992.

Pas atyre kodrave ndodhen emra që historia nuk i harron: Prijedor, Kozarac, Omarska, Keraterm, Trnopolje e Manjača, dhe janë edhe shumë emra të tjerë që asnjë histori nuk i fshin dot. Janë vende që u bënë sinonim i kampeve, torturave, zhdukjeve dhe vrasjeve masive.
Kështu, Hrvatska Kostajnica dhe tregimi i saj mbi shqiptarin, janë shndërruar sot në fortifikatë lirie ku përtej të cilës ideja e ’’Serbisë së Madhe’’ nuk mund të shtrihet.
Pra, Hrvatska Kostajnica është një kujtesë se deri ku arriti projekti i ’’Serbisë së Madhe’’ dhe ku ai u ndal përgjithmonë.
Në territoret e Bosnjës e Hercegovinës nën kontrollin serb, të cilat shihen nga qyteza e lirë kroate, asnjëherë nuk u gjetën të gjithë të zhdukurit (të pagjeturtit).
Nëntoka po mbart sekretet e vrasjeve masive në të njëjtën mënyrë sikur viset e veriut të Kosovës që dikur ishin nën kontrollin e bandave të lidhura me Beogradin.
Edhe kur varrezat masive vazhdojnë të mbesin sekret shtetëror në Beograd, vello e heshtjes mbulon ata që dinë çfarëdo informacioni për to. Kurse ata më të guximshmit kanë pasur fuqi njerëzore që pavarësisht ambientit ku jetojnë, të tregojnë për lokacionet e varrezave masive, por fati i tyre është i trishtë, ngase politika gjenocidale e udhëhequr në Beograd nuk duron njerëzoren.
Një prej tyre ishte gruaja e vjetër Borka Ožegović, e cila kishte dhënë dëshmitë për një varrezë masive pranë Manjačës, më vonë do të gjendet e vdekur siç thuhet në raportin zyrtar të policisë të entitetit RS, gjoja gjatë plaçkitjes së shtëpisë së saj. Ajo ishte gjetur me duar dhe këmbë të lidhura dhe me prerje gjithandej nëpër trup, kurse nga shtëpia nuk ishte plaçkitur asgjë.
Fatkeqësi pak a shumë e njëjtë e kishte gjetur edhe një të ri serb, i cili zbuloi varrezën masive pranë burgut të Foçës, i cili sipas raportit zyrtar të entitetit RS u vra ’’rastësisht’’ gjatë një rrahjeje në një kafene.

Gjahu i shtrigave ka nisur në Serbi pas zbulimit të varrezave masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut në Kosovë. Edhe sot, shumë prej këtyre krimeve mbeten pa një përgjigje të plotë, ndërsa familjet vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën për më të dashurit e tyre.

Rrugës drejt Hrvatska Kostajnicës, lufta ende shihet në muret e shtëpive të shpuara nga plumbat.


Pak më tej shfaqen shtëpi të rindërtuara, kisha e rindërtuar dhe kalaja mesjetare që dikur mbronte kalimin strategjik dhe rrugët tregtare që lidhnin Panonin me Bosnjën, vazhdon edhe sot të mbikëqyrë lumin Una. Janë pamje që dëshmojnë se qyteza është rindërtuar, por kujtesa e tij jo.



Ndoshta pikërisht për këtë arsye, Hrvatska Kostajnica nuk është vetëm një qytezë kufitare. Është një vend ku historia vazhdon të jetojë në çdo rrugë, në çdo mur dhe në çdo dëshmi. E mes tyre mbetet edhe ajo pyetje që dikur vendoste për jetën ose vdekjen: “A ka shqiptarë mes jush?”