Një prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, akademiku Arsim Bajrami, ka thënë se kriza aktuale politike dhe institucionale nuk mund të zgjidhet vetëm përmes dispozitave kushtetuese, pasi Kushtetuta nuk ka mundur të parashikojë çdo situatë të mundshme të bllokimit politik.
Bajrami, përmes një shkrimi në Facebook, ka renditur 10 çështje që i ka vlerësuar si themelore për krizën aktuale, duke paralajmëruar se situata mund të ketë pasoja për funksionimin normal të shtetit.
Ai ka theksuar se zgjidhja e krizës është para së gjithash politike, ndërsa Kushtetuta duhet të shërbejë si kornizë detyruese për arritjen e saj.
“Në vlerësimin tim, situata aktuale duhet të emërtohet me saktësi. Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese”, ka shkruar Bajrami.
Sipas tij, gjatë hartimit të Kushtetutës nuk ka qenë e mundur të parashikohej çdo skenar i mundshëm i përplasjes apo bllokimit ndërmjet subjekteve politike.
“Kur kemi hartuar Kushtetutën, nuk kemi mundur dhe as nuk ka qenë e mundur të parashikonim çdo situatë të mundshme të bllokimit politik. Një Kushtetutë nuk mund të shkruhet si një manual për çdo konflikt të mundshëm ndërmjet partive politike”, ka deklaruar ai.
Bajrami ka thënë se Kushtetuta është ndërtuar mbi parimin e funksionimit demokratik dhe respektimit të rregullave nga subjektet politike, përfshirë arritjen e kompromiseve kur ato janë të nevojshme për funksionimin e shtetit.
“Prandaj, zgjidhja e krizës aktuale është para së gjithash politike, ndërsa Kushtetuta duhet të jetë korniza detyruese brenda së cilës gjendet dhe realizohet kjo zgjidhje. Kushtetuta përcakton rregullat; politika demokratike duhet të prodhojë vullnetin për t’i zbatuar ato”, ka shkruar Bajrami.
Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka konstituuar legjislaturën e 11-të, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit tashmë ka kaluar, ndërsa partia fituese ende nuk ka propozuar një emër për kryetar të Kuvendit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në dy raste ka kërkuar më shumë kohë për negociata me partitë e tjera politike lidhur me çështjen e presidentit, duke paralajmëruar se pa një marrëveshje për këtë çështje vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton një sanksion të drejtpërdrejtë në rast të tejkalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Bajrami ka thënë se një kompetencë kushtetuese s’duhet të shihet vetëm si privilegj i subjektit që e ushtron atë. Në rastin konkret, partisë fituese të zgjedhjeve i jepet e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit.
“Çdo kompetencë kushtetuese ekziston për të realizuar një funksion kushtetues dhe për t’i shërbyer funksionimit të institucionit dhe të shtetit. Nëse një subjekt politik ka mundësinë dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime që çojnë në funksionalizimin e institucioneve, por e përdor pozitën e tij për të shkaktuar ose për të zgjatur një bllokim institucional, atëherë lind pyetja nëse kemi të bëjmë thjesht me ushtrim të një kompetence politike apo nëse, në rrethana të caktuara, mund të shtrohet edhe çështja e keqpërdorimit të pozitës kushtetuese. Kjo kërkon një analizë shumë të kujdesshme dhe nuk mund të konkludohet vetëm mbi bazën e një vlerësimi politik”, ka shkruar ai.
Në këtë kontekst, Bajrami ka shtruar çështjen e “ometimit kushtetues”.
“Ometimi kushtetues mund të shfaqet kur mosveprimi i një organi publik krijon një boshllëk në realizimin e një detyrimi kushtetues dhe pengon funksionimin efektiv të rendit kushtetues. Megjithatë, ky koncept duhet përdorur me shumë kujdes. Ometimi kushtetues nuk mund të shpallet vetëm përmes një deklarate politike. Ai kërkon analizë juridike të detyrimit kushtetues, subjektit përgjegjës, natyrës së mosveprimit, kohëzgjatjes së tij dhe pasojave që prodhon. Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që debati mbi ometimin kushtetues të mos shndërrohet në një etiketë politike, por të mbetet pjesë e një analize serioze juridiko-kushtetuese”.
Në pikat tjera, Bajrami ka thënë se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe jo mundësi politike. Sipas tij, dispozita që specifikon se seanca konstituive të mbahet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e ka logjikën e qartë kushtetuese që të nisë pa vonesë procesi i krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve të reja.
Bajrami ka thënë se ky afat 30-ditësh duhet të respektohet. Bajrami ka vlerësuar se formulimi që specifikon këtë pikë në Kushtetutë, nuk u jep partive mundësinë e pakufizuar për ta shtyrë konstituimin. Bajrami ka thënë se ky afat është vendosur për të siguruar kalim të shpejtë, të rregullt dhe kushtetues nga procesi zgjedhor në funksionalizim të institucioneve. “Kur ky afat tejkalohet pa përfunduar procesi kushtetues, atëherë kemi një çështje serioze të respektimit të Kushtetutës”, ka thënë ai teksa ka shtuar se konstatimi për shkelje kushtetuese i ngelet për t’u përcaktuar Gjykatës Kushtetuese.
Zgjedhja e kryeparlamentarit, sipas Bajramit, nuk është dytësore apo procedurale në konstituim.
Bajrami ka thënë se ekziston konfuzioni se moskonstituimi çon në shpërndarje të Kuvendit. Megjithatë, sipas tij kjo nuk qëndron, e se për çështje të tillë duhet të nxirret një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Bajrami u ka bërë thirrje partive të ruajnë ndarjen ndërmjet juridikes dhe politikes. Siç ka shkruar ai Gjykata Kushtetuese mund të japë zgjidhje juridike brenda kompetencës, por nuk mund të krijojë marrëveshje politike kur partitë refuzojnë.
Ish-ministri u ka bërë thirrje partive që po ashtu të lexojnë secilin aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për çështjet e ngjashme. Ai ka thënë se jurisprudenca kushtetuese duhet të respektohet dhe jo të relativizohet.
Në fund, Bajrami ka përsëritur se zgjidhja është politike dhe se nuk ka nevojë për luftë të re interpretimesh kushtetuese.
“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, maturi institucionale dhe vullnet për kompromis. 1.Duhet të konstituohet Kuvendi. 2.Duhet të zgjidhet Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit. 3.Duhet të fillojë dhe të përfundojë procedura kushtetuese për formimin e Qeverisë. 4.Duhet të krijohen kushtet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. 5.Dhe, mbi të gjitha, duhet të rikthehet funksionaliteti i plotë i institucioneve të Republikës së Kosovës. Si njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës, dua ta them qartë: Kushtetuta nuk është shkruar për të bllokuar shtetin. Ajo është shkruar për ta bërë shtetin funksional. Kushtetuta është kompromis politik i institucionalizuar. Ajo është marrëveshja themelore mbi rregullat e bashkëjetesës politike dhe institucionale. Prandaj, kur politika hyn në krizë, zgjidhja nuk mund të jetë keqpërdorimi i Kushtetutës. Zgjidhja duhet të jetë kthimi te Kushtetuta, te dialogu, te përgjegjësia dhe te kompromisi politik”, ka shkruar Bajrami.
Ai u ka apeluar partive të mos e mbajnë peng shtetin për kalkulime partiake e të mos e përdorin Kushtetutën për instrument bllokimi dhe që të respektojnë Kushtetutën e vendimet e Gjykatës Kushtetuese.