Policia jep detaje për vendosjen e flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vendosjes së dy flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan, duke bërë të ditur se për këtë rast janë shoqëruar dy persona. Sipas Policisë, rasti është raportuar më 10 gusht, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi i kishës ortodokse në Lipjan.

“Stacioni Policor në Lipjan, më datën 10.08.2026, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës ortodokse, është njoftuar se në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan janë vendosur dy flamuj, sipas tij, njëri me mbishkrimin UÇK dhe tjetri i Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme pas pranimit të informacionit, ndërsa më pas është identifikuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Lipjan një person me inicialet D.M., nga Komuna e Lipjanit.

Policia ka bërë të ditur se personi është trajtuar nga Njësia e Hetimeve dhe gjatë kontrollit ka rezultuar nën ndikim të alkoolit.

“Personi i shoqëruar në stacionin policor është trajtuar nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Lipjan, i cili ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit, me 0.61 promila”, thuhet në komunikatë.

Në kuadër të hetimeve, më 11 gusht është shoqëruar në polici edhe një person tjetër, me inicialet E.M., po ashtu nga Komuna e Lipjanit.

“Si vazhdimësi e hetimeve policore, sot, më datën 11.08.2026, është shoqëruar në stacionin policor edhe personi (E. M.), po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat e mëtejme policore”, njofton Policia.

Për rastin janë njoftuar edhe prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe Departamentit të Përgjithshëm. Me udhëzimin e tyre, rasti është dërguar me Shënim Zyrtar.

Policia e Kosovës ka theksuar se, në kuadër të strategjisë së saj për sigurinë dhe parandalimin e incidenteve, ka dosje të veçanta për objektet e trashëgimisë kulturore fetare.

“Në kuadër të Strategjisë së Integruar të Policisë së Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policisë në Bashkësi, Policia e Kosovës ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat shërbejnë për ofrimin e sigurisë ndaj tyre dhe për parandalimin e çfarëdo rasti apo incidenti të mundshëm”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, 24 objekte të trashëgimisë kulturore sigurohen me prezencë policore 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, ndërsa për objektet e tjera siguria ofrohet përmes njësive patrulluese.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjitha objekteve të trashëgimisë kulturore fetare”, përfundon komunikata.

 

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika