Serbia po duket gjithnjë e më e prirur për ta zhvendosur qendrën e gravitetit të politikës së saj jashtë BE-së, ndërsa në raportet me fuqitë tradicionale aleate po vërehet një afrim i shtuar me Kinën.
Një tjetër sinjal në këtë drejtim është takimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming.
Në fokus të bisedës ishin zhvillimet në Kosovë, marrëdhëniet dypalëshe dhe projektet e përbashkëta mes Beogradit dhe Pekinit.
Vuçiq tha se ambasadorin kinez e ka informuar për “zhvillimet më të fundit shqetësuese” në Kosovë, ndërsa e falënderoi Kinën për qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të Serbisë.
Mesazhi i presidentit serb ishte i drejtpërdrejtë: Pekini mbetet një partner politik që Beogradi e konsideron të rëndësishëm për mbështetjen në çështjen e Kosovës.
Vuçiq shkoi edhe më tej duke kërkuar që ambasadori Li Ming t’ia përcjellë përshëndetjet e tij presidentit kinez, Xi Jinping, duke vlerësuar angazhimin personal të tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Beogradi historikisht ka pasur marrëdhënie të ngushta politike me Moskën. Megjithatë, në vitet e fundit Kina ka fituar peshë të madhe në Serbi, veçanërisht përmes investimeve, projekteve infrastrukturore dhe bashkëpunimit politik.
Takimi Vuçiq-Li Ming vjen edhe në një periudhë të trazuar për politikën serbe. Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd më 8 gusht ka sjellë reagime në Serbi, ndërsa Vuçiq vazhdon të paralajmërojë edhe mundësinë e largimit nga posti i presidentit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.