Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare lidhur me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike për “Mirëmbajtjen e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, rregulloret dhe udhëzimet përkatëse, si dhe me rregullat financiare për shpenzimin e parasë publike.
Aktiviteti i prokurimit, sipas aktakuzës, ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara në kuadër të kontratës kanë arritur në 5,377,058.07 euro.
Po ashtu, të pandehurit akuzohen se kanë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të përcaktuara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa zhvilluar procedurë të re të prokurimit dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni për pranimin e punëve.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale, të pandehurve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.