Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij do t’i shqyrtojë veprimet politike në ditët dhe javët e ardhshme, pas zhvillimeve të fundit dhe krizës institucionale në vend,.
Tahiri ka bërë të ditur se grupi parlamentar i Aleancës do të mblidhet për të diskutuar qasjen e mëtejshme politike të partisë, duke lënë të hapur mundësinë për ndërmarrjen e veprimeve të reja.
“Dëgjoni, ne si grup do të kemi një takim, grupi parlamentar. Do të shohim për veprimet tona politike si Aleancë. Për sa i përket veprimit politik, kjo do të shqyrtohet, do ta diskutojmë se si do t’i qasemi kësaj teme. Por kjo na detyron neve që të reflektojmë, respektivisht t’i mendojmë çka dhe si do të sillemi në ditët e javët e ardhshme”, tha Tahiri.
Deputeti i Aleancës ka theksuar se partia e tij ka qenë ndër subjektet e para politike që ka ofruar mbështetje për tejkalimin e bllokadës institucionale.
Sipas tij, Aleanca ka shprehur gatishmëri për të votuar presidentin pa vendosur kushte politike, me qëllim që të ndihmojë në funksionalizimin e institucioneve të vendit.
“E dini që Aleanca, partia e parë që ka reflektuar në një situatë politike bukur, të paqartë dhe ka ofruar mbështetjen e Aleancës për të dalë nga bllokada, respektivisht votimin e presidentit pa asnjë kusht për këtë çështje. Është deklaruar hapur në publik që ne nuk jemi, nuk dëshirojmë të jemi pjesë e qeverisë, mirëpo do të ndihmojmë konstituimin e organeve të Kosovës. Dhe do ta ndihmojmë përmes disa pikave, respektivisht kërkesave të cilat kur i shikon, i lexon, të gjitha janë të mira për Kosovën, të gjitha janë të realizueshme. Unë mendoj që këtu nuk ka krizë kushtetuese, ka krizë politike”, tha ai.
