Tentoi t’u japë 50 euro policëve për t’i shpëtuar gjobës, arrestohet i dyshuari në Gjakovë

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është zbuluar pas informatave të pranuara nga Stacioni Policor në Gjakovë, lidhur me dyshimet për tentativë të dhënies së ryshfetit ndaj zyrtarëve policorë.

Rasti ka ndodhur rreth orës 03:20 në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë. I dyshuari, i cili dyshohet se kishte kryer kundërvajtje në trafik, gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë ka tentuar t’u japë një kartëmonedhë prej 50 eurosh, me qëllim që t’i shmangej shqiptimit të masës për kundërvajtjen.

Pavarësisht paralajmërimit të policëve se dhënia e parave ishte e kundërligjshme, i dyshuari ka insistuar në dhënien e ryshfetit, pas së cilës është arrestuar.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Kartëmonedha prej 50 eurosh është sekuestruar si provë, ndërsa rasti do t’i përcillet Prokurorisë për procedim të mëtejmë.

Policia e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe ryshfetit, duke theksuar se zyrtarët policorë do të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme ndaj çdo tentative për ndikim të paligjshëm.

Rasti vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente.

Të fundit nga rubrika