Bajrami: Pse po e shtyn Kurti vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve?

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën institucionale në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka akuzuar Kurtin se po e zvarrit procesin e formimit të institucioneve dhe se, sipas saj, Kosova po shtyhet drejt një cikli të ri zgjedhor, ndonëse tashmë ka kaluar nëpër tri procese zgjedhore.

Ajo ka ironizuar me arsyetimet e përdorura gjatë muajve të fundit për moskonstituimin e Kuvendit, duke përmendur fillimisht deklaratën se “s’bën qerrja para kalit”, e më pas arsyetimin se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje politike.

“Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?

Nga “s’bën qerrja para kalit”, deri te “nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje politike, sepse nëse e bëjmë vendi shkon në zgjedhje” – janë arsyetimet me banale të cilat nga dhjetori i vitit 2024 po e mbajnë Kosovën pa institucione legjitime.

E derisa kjo sagë vazhdon dhe tolerohet, nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme.

Tash thonë: ”nuk e konstituojmë Kuvendin pa marrëveshje për Presidentin, sepse nëse s’ka marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje”.

Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje.
Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?

Prandaj, sot secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të pyesë:
Çka po don Albin Kurti?

Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve?

Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?
Që tri herë po shkojmë në zgjedhje, për të përfunduar përsëri në zgjedhje.
Pse?”, ka shkruar Bajrami.

Të fundit nga rubrika