Hind Rajab ishte një nga shtatë anëtarët e një familjeje që po udhëtonte me makinë në Gaza City në janar të vitit 2024, kur automjeti u qëllua gjatë ofensivës izraelite.
Pesëvjeçarja fillimisht mbijetoi, ndërsa disa anëtarë të familjes së saj u vranë. Ajo arriti të kontaktojë me punonjësit e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe për disa orë kërkoi ndihmë, ndërsa ndodhej e bllokuar në automjet.
Ambulanca e dërguar për ta shpëtuar u sulmua gjithashtu. Disa ditë më vonë, trupat e Hind Rajab, familjarëve të saj dhe dy punonjësve të ambulancës u gjetën në vendngjarje.
Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se, pas shqyrtimit të gjetjeve dhe për shkak të “dështimeve të pretenduara në koordinimin e lëvizjes së ambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze”, është vendosur të nisë një hetim penal nga Divizioni i Hetimeve Penale të Policisë Ushtarake.
Ky është rasti i parë kur IDF pranon se forcat izraelite hapën zjarr ndaj automjetit me të cilin po udhëtonte Hind Rajab dhe familja e saj. Më herët, ushtria izraelite kishte thënë se një hetim fillestar sugjeronte se në kohën e incidentit nuk kishte trupa izraelite në atë zonë.
Telefonata e Hind Rajab me ekipet e shpëtimit u transmetua gjerësisht në mbarë botën. Në të, vajza kërkonte me dëshpërim që dikush të shkonte ta shpëtonte. Kontakti u ndërpre mes zhurmës së të shtënave.