Mbetje kockore, që dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve, janë gjetur gjatë gërmimeve dhe ekshumimeve në një lokacion të dyshuar në Zubin Potok.
Sipas njoftimit nga Prokuroria Speciale, gjetja është konfirmuar të mërkurën nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kanë bërë të ditur se hetimet për rastin do të vazhdojnë.
Për këtë rast po hetohen tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Institucionet kanë thënë se procesi do të zhvillohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.