Të paktën 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të fundit ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, ka njoftuar kryetari i qytetit, Vitali Klitschko.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës ka bërë të ditur se gjatë natës janë goditur ndërtesa banimi dhe depo në zona të ndryshme të Kievit. Nga sulmet janë dëmtuar gjithashtu një spital për fëmijë dhe një shkollë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se numri i viktimave lidhet edhe me mungesën e raketave për mbrojtjen ajrore, të cilat Ukraina i siguron kryesisht nga aleatët e saj perëndimorë.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, gjatë një vizite në një ndërtesë banimi të dëmtuar në distriktin Solomianskyi, tha se Ukraina ka nevojë për më shumë municion dhe sisteme kundërraketore.
“Na duhen municion, sisteme kundërraketore – kemi nevojë për mbështetjen e partnerëve tanë”, tha Klitschko.
Ekipet e emergjencës vazhduan kërkimet nën rrënoja, ndërsa banorët u detyruan të qëndrojnë jashtë ndërtesave të dëmtuara.
Në mesin e tyre ishte edhe Valeria Bondaruk, e cila ishte zhvendosur në Kiev pasi shtëpia e saj në jug të Ukrainës ishte bombarduar. Ajo kishte besuar se kryeqyteti do të ishte më i sigurt për të dhe vajzën e saj 13-vjeçare.
Tash, për herë të dytë gjatë luftës, ajo është detyruar të largohet nga shtëpia e saj.
Një copë xhami e ngulitur në murin e dhomës së gjumit dëshmonte për intensitetin e sulmit. Bondaruk tha se gjatë bombardimeve ishte fshehur në korridor.
Ajo i tha BBC-së se ka frikë për të ardhmen e vajzës së saj 13-vjeçare dhe po shqyrton mundësinë që të largohet nga Ukraina.
Të paktën 13 të vrarë në Kiev nga sulmet ruse, Ukraina përballet me mungesë të mbrojtjes ajrore