Një 77-vjeçar ka humbur jetën pranë Tešanjit, në veri të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa dyshohet se po përpiqej të shuante një zjarr që kishte përfshirë vegjetacionin e ulët.
Sipas Ministrisë së Brendshme të kantonit Zenica-Doboj, trupi i viktimës u gjet nga zjarrfikësit gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Rrethanat e sakta të vdekjes ende po përcaktohen, por dyshohet se i moshuari kishte tentuar të përballej vetë me zjarrin.
Ngjarja vjen në një periudhë kur Bosnjë-Hercegovina po përballet me një valë zjarresh. Prej javësh, zjarrfikësit po luftojnë me vatra të mëdha në disa zona të vendit, përfshirë edhe ato pranë kufirit me Kroacinë.
Temperaturat e larta, thatësira dhe mungesa e reshjeve po favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve dhe po vështirësojnë ndërhyrjet e ekipeve zjarrfikëse.