Temperatura të larta me mot kryesisht të qëndrueshëm dhe me intervale të gjata me diell, parashihet ta përcjellin edhe javën e fundit të muajit gusht.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat do të jenë mbi vlerat mesatare për këtë periudhë të vitit, sidomos gjatë ditës, kur në disa zona temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 35–36°C.
Në pjesën e dytë të javës pritet edhe një rritje e lehtë e temperaturave, ndërsa vranësirat lokale, veçanërisht në zonat malore, mund të kushtëzojnë reshje të izoluara.
Të hënën pritet të jetë mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12°C deri në 17°C, ndërsa maksimalet nga 29°C deri në 34°C.
Edhe të martën pritet mot kryesisht me diell por me vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11°C deri në 15°C, ndërsa maksimalja pritet të shkojë deri në 35°C.
Edhe të enjten pritet mot me diell dhe vranësira të fokusuara përreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11°C deri në 16°C, ndërsa maksimalet nga 29°C deri në 34°C.
Të premten pritet të jetë dita me temperaturat më të larta, që parashihet të shkojnë deri në 36°C. Minimalja pritet të lëvizë nga 10 deri në 15°C. Moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira.
IHMK-ja ka rekomanduar shmangien e qëndrimit të gjatë në diell, konsumim të mjaftueshëm të lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike në orët më të nxehta.
Ndërkohë temperaturat e larta dhe moti kryesisht i thatë do të favorizojnë pjekjen dhe përfundimin e fazave të zhvillimit të kulturave bujqësore, por njëkohësisht do të rrisin kërkesat për ujë. Rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës dhe ujitja sipas nevojës, sidomos në kulturat që janë ende në faza aktive të zhvillimit.
