Haxhiu në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës, duke theksuar mbështetjen për pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj.

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë mirëpritur gazetarë ukrainas që ndodhen në Kosovë që nga ditët e para të agresionit rus.

Sipas saj, këta gazetarë e kanë bërë Kosovën një shtëpi të përkohshme, prej nga kanë vazhduar të raportojnë dhe të punojnë për vendin e tyre.

Haxhiu ka thënë se qytetarët e Kosovës e dinë mirë se çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur se kur do të kthehesh.

“E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë. Dhe e dimë pse liria, kur vihet në rrezik, mbrohet me gjithçka që kemi”, ka shkruar ajo.

Ajo ka përmendur edhe mbështetjen konkrete të Kosovës për Ukrainën, përfshirë bashkimin me sanksionet ndaj Rusisë, mbështetjen për qytetarët dhe gazetarët ukrainas, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas dhe pakove të ndihmës ushtarake.

“Historia jonë nuk është historia e Ukrainës, por na ka mësuar ta njohim çmimin njerëzor të luftës. Prandaj, kemi qëndruar dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Ukrainës, për pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë e saj territoriale, si dhe për të drejtën e popullit ukrainas që vetë të vendosë për të ardhmen e tij”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fund, ajo u ka uruar të gjithë ukrainasve Ditën e Pavarësisë.

Të fundit nga rubrika