Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës sipas moshës, Avni Deharit, që ta thërrasë seancën në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Prandaj, sot nuk po ju kërkoj të hiqni dorë nga mandati që ju kanë dhënë qytetarët. Po ju kërkoj ta respektoni atë. Kthejuni përgjegjësisë. Kthejuni institucioneve. Kthejuni punës. Sepse Kosova ka nevojë për më shumë besim mes duarve që e ndërtojnë atë. Dhe Kosova nuk ka kohë për të pritur”, theksoi Jashari.
Ajo drejtoi kritika ndaj deputetit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i kanë uzurpuar institucionet e nivelit qendror, që po përpiqen të marrin më shumë kompetenca edhe nga komunat.
“Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: A është kjo mungesë besimi ndaj institucioneve lokale, apo është dëshirë për të pasur gjithnjë e më shumë pushtet? Sepse nëse nuk arrin ta konstituosh Kuvendin, nëse nuk arrin të ndërtosh kompromis me të paktën një pjesë të përfaqësimit politik të qytetarëve, si mund të pretendosh se përgjigjja për një shtet më funksional është te marrësh edhe më shumë kompetenca?”, tha Jashari.
PDK do t’i drejtohet përsëri kryesuesit të seancës për nga mosha, Avni Dehari, me kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve./EO