Një punëtor ka humbur jetën të hënën në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se për rastin është informuar rreth orës 10:30, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e rënies nga lartësia dhe ka ndërruar jetë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., i dyshuar për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarët okularë, ndërsa hetuesit po vazhdojnë mbledhjen dhe administrimin e provave për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Prokurori i çështjes do të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të masave të sigurisë ndaj të dyshuarit.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar në bashkëpunim mes Prokurorisë, Policisë dhe institucioneve të tjera kompetente.
