Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të martën se të gjitha minat janë shpërthyer ose janë larguar nga ujërat ndërkombëtare të Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar Iranin se çdo anije apo varkë që vendos mina të reja do të shkatërrohet.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se Shtetet e Bashkuara, përmes Forcës Hapësinore (Space Force), po monitorojnë “çdo centimetër katror” të Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore të furnizimit me energji në botë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Politika e tolerancës zero ndaj vendosjes së minave është në fuqi të plotë”, shkroi Trump.
SHBA-ja dhe Irani nuk kanë kryer sulme ajrore ndaj forcave ushtarake të njëri-tjetrit prej disa javësh, por sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit kanë vazhduar, ndërsa të dyja palët po përpiqen të marrin kontrollin e kësaj rruge të ngushtë detare.
Sipas të dhënave paraprake të kompanisë së monitorimit të transportit detar “Vortexa”, të hënën përmes Ngushticës së Hormuzit janë transportuar rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë.
Kjo shifër është dukshëm më e ulët se mbi 20 milionë fuçi në ditë që kalonin përmes ngushticës para fillimit të konfliktit, sasi që përbënte rreth një të pestën e naftës së konsumuar në mbarë botën.