Shoqata e të Burgosurve Politikë ka shprehur mbështetjen për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, nën moton “Kosova po pret”.
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë vizituar Shoqatën e të Burgosurve Politikë, ku kanë diskutuar për organizimin e marshit dhe mobilizimin qytetar.
Ata janë pritur nga kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, kryetari i shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Gjini, si dhe përfaqësues të tjerë të shoqatës.
Gjatë takimit është diskutuar për pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se mbështetja e ish-të burgosurve politikë ka një domethënie të veçantë për këtë organizim.
“Mbështetja e të burgosurve politikë për Marshin për Liri ka peshë të veçantë. Këta janë njerëz që e kanë paguar me vite burgimi përpjekjen për lirinë e Kosovës dhe e dinë më mirë se kushdo vlerën e saj. Më 12 shtator duam që Prishtina të bashkojë të gjithë ata që besojnë në drejtësi, në të vërtetën e luftës sonë çlirimtare dhe në kthimin e çlirimtarëve tanë në Kosovë. Kosova po pret.”, tha Tasholli.
Ndërkaq, Eliza Hoxha theksoi se Marshi duhet të shndërrohet në një zë të përbashkët qytetar për historinë, drejtësinë dhe dinjitetin e Kosovës.
“Më 12 shtator nuk marshojmë për një parti apo për një grup të caktuar. Marshojmë për historinë dhe të vërtetën tonë, për njerëzit që ishin pjesë e rrugëtimit tonë drejt lirisë. Prandaj, ky duhet të jetë një marsh që na bashkon të gjithëve. Prishtina duhet ta dëgjojë zërin e Kosovës që pret drejtësi dhe kthimin e çlirimtarëve të saj.”, tha Hoxha.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, konfirmoi mbështetjen e plotë të Shoqatës për Marshin e 12 shtatorit dhe bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë.
“Të burgosurit politikë kanë qenë pjesë e pandashme e përpjekjes së gjatë të popullit tonë për liri. Prandaj, ne e mbështesim fuqishëm Marshin për Liri dhe do të jemi pjesë e tij. Më 12 shtator duhet të jemi bashkë në Prishtinë, për ta mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për t’u dalë në mbështetje atyre që sot ndodhen në Hagë.”, tha Sadiku.
Edhe kryetari i shoqërisë “Lëvizja”, Xhevat Gjini, shprehu mbështetjen për organizimin, duke theksuar rëndësinë e bashkimit rreth vlerave të luftës çlirimtare.
“Liria e Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të shumë brezave, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot kemi përgjegjësi që këtë histori ta mbrojmë dhe ta përcjellim të vërtetë te brezat që vijnë. Prandaj, më 12 shtator do t’i bashkohemi Marshit për Liri, në mbështetje të çlirimtarëve që po përballen me drejtësinë në Hagë.”, tha Gjini.
Në fund të takimit, Shoqata e të Burgosurve Politikë konfirmoi mbështetjen e plotë për “Marshin për Liri” dhe pjesëmarrjen në organizimin e 12 shtatorit.
“Marshi për Liri” do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para vendimit të madh me 16 shtator, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, nën moton:
‘Kosova po pret'”. thuhet ne njoftim.