Kreu i Aleancës, Ardian Gjini ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe fjalimin e tij në protestën e 12 shtatorit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Gjini ka thënë se protesta nuk lidhet vetëm me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin apo të tjerët, por me mbrojtjen e historisë së Kosovës për luftën dhe lirinë.
Ai theksoi se se qytetarët nuk duhet të lejojnë që sakrifica e atyre që luftuan për liri të harrohet apo të njolloset. Ai u shpreh optimist se Kosova do të dalë nga kjo gjendje.
“Po. Unë e kam konfirmuar se do të flas, është kërku prej meje. Patjetër që do të jemi aty. Mos e harroni një fjali që ju thashë:
Nuk ka të bëjë kjo me Hashim Thaçin, as me Kadri Veselin, as me Jakup Krasniqin, as me Rexhep Selimin, as me të tjerët. Fushata është për baltosjen e tregimit tonë për lirinë tonë. Mos me mbërrí me i bë fëmijët tonë patriotë, me u tregu heroizmat e njerëzve, me u tregu sakrificën e djemve e vajzave që kanë luftuu për liri edhe të shumë e shumë të tjerëve që kanë bë sakrifica të të gjitha natyrave. për një ditë të lirë për Kosovën. Domethënë, qëllimi është me e mbytë tregimin e Kosovës për liri. Edhe këtij i ka ndihmu ky qëllimi me ose pa vetëdije e kanë sjellë Kosovën me e fye vetveten, me e mohu vetveten, mos me i dashur simbolet e veta, mos me e dashur shtetin e vet, mos me i dashur heronjtë e vet. Jo veç ata të gjallë, po as të vdekurit. Kjo është mëkati më i madh që i ka ndodhë Kosovës. Siç ju thashë edhe një herë, po jetojmë në kohën e mashtrimit të madh. Ka me u shënu në anale si koha e mashtrimit të madh, ama Kosova ka me dalë prej tij, prej kësaj gjendje. Po ju garantoj: kemi me e nxjerrë Kosovën prej kësaj gjendje! Ka njerëz Kosova që nuk kanë me leju me shku poshtë mundi i gjeneratave e me u rritë fëmijët tonë në mizeri, mos me e dashur vendin e vet, me lypë veç me ikë prej këtij vendi”, tha Gjini.
Më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, do të mbahet protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”./EO