Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur, janë riatdhesuar nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes një postimi, Rama theksoi se vijojnë përpjekjet për riatdhesimin edhe të shtetasve të tjerë shqiptarë që kanë mbetur ende në Siri, njofton Dukagjini.
Rama e cilësoi riatdhesimin si një “detyrim njerëzor dhe shtetëror”, me synimin për t’u garantuar personave të kthyer një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare.
“Pesë shtetas shqiptarë, nga të cilët 3 të mitur, u riatdhesuan nga Siria pas një procesi të gjatë dhe të vështirë, ndërkohë që vijon përpjekja për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur ende në Siri”, shkroi Rama.
Ai shtoi se institucionet shqiptare do të vijojnë angazhimin për kthimin e shtetasve të tjerë që ndodhen ende në Siri.
